Aktuale
Oda Ekonomike Amerikane alarmon për krizën institucionale: Kosova po humb mundësi të mëdha
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim për vazhdimin e krizës politike dhe bllokadën institucionale në vend, duke kritikuar edhe përplasjet e fundit në Kuvend.
Në reagimin e saj, Oda ka thënë se Kuvendi duhet të mbetet vend i debatit demokratik, dinjitetit institucional dhe respektit për qytetarët, ndërsa ka vlerësuar se mospajtimet politike nuk mund të arsyetojnë sjellje që dëmtojnë besimin e publikut në institucionet demokratike.
Sipas Odës Amerikane, pasiguria institucionale po ndikon negativisht në klimën e investimeve, reformat dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa mungesa e një Kuvendi funksional dobëson mbikëqyrjen dhe llogaridhënien institucionale.
Oda ka theksuar se të gjitha partitë parlamentare kanë përgjegjësi për të kontribuar në zgjidhjen e situatës, por përgjegjësia kryesore i takon forcës politike që ka marrë numrin më të madh të mandateve nga votuesit, për krijimin e kushteve për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane u ka bërë thirrje liderëve politikë që të ulin tensionet dhe të rikthejnë dialogun, duke kërkuar që stabiliteti demokratik dhe zhvillimi ekonomik të vendosen mbi interesat e ngushta partiake./gazetametro.net
BASHKOHUNI NË DISKUTIM