Aktuale
Në takimin e Unionit, bizneset shqiptaro-gjermane u mblodhën në Prishtinë, në fokus investimet dhe marrëveshjet e reja
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka organizuar në Prishtinë edicionin 2026 të Takimit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, një ngjarje që kishte në fokus rrjetëzimin, prezantimin e kompanive dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës, diasporës shqiptare dhe Gjermanisë.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të bizneseve, sipërmarrës, investitorë, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, si dhe profesionistë nga të dyja vendet. Në kuadër të aktivitetit u prezantuan kompani dhe iniciativa të ndryshme, ndërsa u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të partneriteteve të reja.

Kryetari i Bordit të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Zenun Krasniqi, tha se takime të tilla janë të rëndësishme për krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet komunitetit të biznesit dhe për hapjen e mundësive konkrete për zhvillim ekonomik.

“Është kënaqësi e veçantë që sonte jemi bashkë në këtë mbrëmje, ku janë mbledhur njerëz që i bashkon puna, biznesi dhe dëshira për të krijuar më shumë mundësi biznesi për vendin tonë. Prania juaj rreth Unionit tonë është një vlerë e madhe. Këto takime janë dëshmi se kur bashkohemi dhe krijojmë ura mes bizneseve, mund të krijojmë mundësi të reja dhe konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se Unioni synon të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet bizneseve shqiptare në Kosovë, diasporës dhe kompanive në Gjermani.
“Qëllimi ynë është që të vazhdojmë ta forcojmë këtë rrjet dhe t’u japim bizneseve mundësinë të njihen, të bashkëpunojnë dhe të krijojnë projekte të përbashkëta. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe kontakteve të drejtpërdrejta mund të ndërtojmë partneritete të qëndrueshme”, theksoi Krasniqi.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke veçuar marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë si një zhvillim me rëndësi për bizneset.
“Ajo që presim që do t’ju kryejë shumë punë, në kuptimin biznesor, është çështja e taksimit të dyfishtë. Për këtë çështje po punohet dhe synimi është që të krijohen kushte edhe më të mira për kompanitë që operojnë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Kjo është shumë e rëndësishme për bizneset, sepse lehtësimi i barrës tatimore dhe krijimi i sigurisë më të madhe për investitorët ndikon drejtpërdrejt në rritjen e bashkëpunimit ekonomik”, tha Ajeti.
Sipas tij, forcimi i marrëdhënieve ekonomike duhet të shoqërohet edhe me krijimin e kushteve më të mira për investime dhe për zgjerimin e aktiviteteve të kompanive.
“Presim që kjo të ndikojë pozitivisht në rritjen e interesimit të kompanive për të investuar dhe për të bashkëpunuar. Bizneset janë një prej shtyllave kryesore të marrëdhënieve tona me Gjermaninë dhe ne duhet të punojmë vazhdimisht për t’ua lehtësuar veprimtarinë”, theksoi ambasadori Ajeti.
Kryetari i nderit të Unionit, Lazim Destani, e vlerësoi organizimin dhe punën e Unionit në forcimin e lidhjeve ndërmjet bizneseve shqiptare dhe atyre gjermane.
“Është nder i veçantë për mua të jem sot me ju si kryetar nderi i Unionit dhe t’ju falënderoj për angazhimin dhe punën tuaj të jashtëzakonshme. Është kënaqësi të shoh se sa shumë njerëz të biznesit janë mbledhur këtu dhe sa i madh është interesimi për të bashkëpunuar”, tha Destani.

Ai shtoi se diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në krijimin e lidhjeve me tregjet ndërkombëtare.
“Diaspora shqiptare vazhdon të jetë një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. Përmes saj janë krijuar shumë lidhje me tregjet evropiane dhe veçanërisht me Gjermaninë. Është shumë e rëndësishme që këto lidhje të vazhdojnë të forcohen dhe të shndërrohen në investime, projekte dhe vende të reja pune”, deklaroi Destani.
Ndërsa drejtori i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Azem Rexha, tha se bashkëpunimi ndërmjet bizneseve nga Kosova dhe Gjermania është duke u rritur dhe se takimet e organizuara nga Unioni kanë rezultuar me marrëveshje konkrete.
“Bashkëpunimi mes bizneseve shqiptare, respektivisht kompanive nga Kosova dhe atyre nga Gjermania, është jashtëzakonisht i madh. Përmes Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane po u ofrojmë të gjitha këtyre kompanive mundësi që të takohen përmes eventeve që organizohen këtu në Kosovë apo në Gjermani”, tha Rexha.

Sipas tij, rezultatet e këtyre takimeve tashmë janë duke u parë përmes projekteve dhe marrëveshjeve të reja ndërmjet kompanive.
“Pas këtyre takimeve po rezulton se po arrihen shumë marrëveshje. Edhe kompanitë që sot janë duke u prezantuar këtu janë kompani që kanë kryer projekte në Gjermani. Kjo tregon se këto aktivitete nuk mbeten vetëm në nivel të takimeve dhe kontakteve, por po shndërrohen në bashkëpunime konkrete dhe projekte reale”, theksoi Rexha.
Ai tha se qëllimi i Unionit është që të vazhdojë të krijojë hapësira ku bizneset mund të prezantojnë kapacitetet e tyre dhe të gjejnë partnerë të rinj.
“Ne duam që kompanitë shqiptare të kenë mundësi të tregojnë potencialin e tyre dhe njëkohësisht kompanitë gjermane të njohin më mirë mundësitë që ofron Kosova. Kemi shumë kompani që kanë kapacitete dhe eksperiencë për të punuar në tregun gjerman dhe synimi ynë është t’i ndihmojmë që këto mundësi të shtohen edhe më shumë”, tha drejtori i Unionit.
Nazmi Viqa, ish-kryetar i Bordit, tha se bashkëpunimi ndërmjet bizneseve shqiptare dhe gjermane është një mundësi e rëndësishme për të rritur investimet, për të krijuar partneritete të reja dhe për të zgjeruar aktivitetin e kompanive në tregjet evropiane.
“Unioni ka një rol të rëndësishëm në afrimin e bizneseve dhe krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta, të cilat mund të shndërrohen në projekte dhe bashkëpunime konkrete”, theksoi Viqa.

Gjatë takimit u zhvilluan prezantime të kompanive, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbejnë kontakte dhe të diskutojnë për projekte dhe mundësi të reja bashkëpunimi.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe roli i diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të Kosovës, veçanërisht përmes investimeve, transferimit të përvojës dhe krijimit të lidhjeve me tregjet evropiane.

Organizatorët thanë se Unioni do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme në Kosovë dhe Gjermani, me synimin që të zgjerojë rrjetin e bizneseve shqiptaro-gjermane dhe të krijojë më shumë mundësi për investime, partneritete dhe projekte të përbashkëta. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM