Aktuale
Trump: Bisedimet e reja me Iranin nisin të hënën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet e reja mes ShBA-së dhe Iranit do të nisin të hënën, pasi, sipas tij, u pezulluan sulme ushtarake që ai i cilësoi si “masive” kundër Iranit.
Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se negociatat do të fillojnë të sot pasdite.
“Po flasim me ta në formën e një negociate. Ajo nis pasdite”, deklaroi ai.
Më herët, përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump shkroi se Irani dhe aleatët e ShBA-së në Lindjen e Mesme i kishin kërkuar të shtynte çdo sulm, pasi, sipas tij, “parametrat” e një marrëveshjeje tashmë ishin dakordësuar.
Deri më tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan.
Trump ka përsëritur edhe më herët se një zgjidhje diplomatike e konfliktit është afër, megjithatë përplasjet dhe sulmet mes palëve kanë vazhduar.
Gjatë deklaratës së tij, presidenti amerikan nuk dha një afat për arritjen e marrëveshjes me Teheranin.
Sipas Trump, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, si dhe partnerë të tjerë rajonalë të ShBA-së, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, i kërkuan që të mos kryente sulme gjatë fundjavës.
Deklaratat e tij ndikuan menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent ra me 4.5%, duke zbritur në 83.98 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI shënoi një rënie prej 4.6%, në 80.74 dollarë për fuçi.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM