Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, tha se procesi synon të përshpejtojë kalimin e përgjegjësisë së mbrojtjes konvencionale nga SHBA-ja te aleatët evropianë.
“Vendimi është i hartuar për të siguruar që NATO-ja po lëviz shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt marrjes së përgjegjësisë kryesore për mbrojtjen e saj konvencionale nga Evropa”, shkroi Colby në platformën X.
Ai shtoi se “rezultati i këtij shqyrtimi do të jetë një përshpejtim i tranzicionit të NATO-s drejt një aleance më të fortë, më të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ky zhvillim pason deklaratat e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili muajin e kaluar në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel paralajmëroi se Uashingtoni do të rishikonte praninë e tij ushtarake në Evropë.
“Ky do të jetë një rishikim i vërtetë. Do të jetë i hartuar për të siguruar që NATO po lëviz shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt Evropës, duke u përpjekur të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Evropës”, u tha Hegseth homologëve të tij.
Ai paralajmëroi gjithashtu se “është një rishikim që disa vende do të dështojnë dhe të tjerat do ta kalojnë me sukses të plotë”.
Në fjalimin e tij në selinë e NATO-s në Bruksel, Hegseth përsëriti kritikat e presidentit Trump ndaj aleatëve evropianë, duke i akuzuar për mungesë mbështetjeje gjatë operacioneve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Ai kritikoi edhe refuzimin e disa vendeve për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake amerikane në Evropë për kryerjen e sulmeve.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu se Uashingtoni mund të reduktojë kontributin financiar në NATO nëse aleatët nuk përmbushin objektivat për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje.
Lajmi është pritur me shqetësim në Evropë, megjithëse një tërheqje graduale e trupave amerikane ishte paralajmëruar prej kohësh. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha muajin e kaluar se aleatët kanë qenë të vetëdijshëm për planet e SHBA-së dhe se Evropa duhet të jetë e aftë të garantojë vetë sigurinë e saj.
“Ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë dhe po e bëjmë këtë”, deklaroi Merz.
Në muajt e fundit, vendet evropiane dhe Kanadaja kanë shtuar investimet në mbrojtje për të forcuar kapacitetet ushtarake, ndërsa Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë intensifikuar bashkëpunimin.
Përpara samitit të NATO-s në Ankara, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksuan se Aleanca duhet të mbështetet më shumë te kapacitetet evropiane.
“Nuk mund të vazhdojmë, siç bëmë më parë, të mbështetemi tepër te Shtetet e Bashkuara. Na duhet një Evropë shumë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë”, tha Rutte, duke e cilësuar bashkëpunimin e zgjeruar mes BE-së dhe NATO-s si një transformim “të pakrahasueshëm”.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM