Kosovë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se bazuar në vlerësimet shkencore të BE-së dhe legjislacionin përkatës të Republikës së Kosovës, produktet e peshkut të papërpunuar duhet të trajtohen në mënyrë adekuate për të eliminuar parazitët që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorit.
AUV thekson se metodat e rekomanduara përfshijnë ngrirjen në temperatura të ulëta(-18ºC) për periudha të caktuara dhe trajtimin termik në temperatura mbi 60°C, duke marrë parasysh llojin e parazitit dhe trashësinë e produktit.
“Në tregun e Kosovës, importet me ngarkesat me peshk nga SHBA, Kanadaja, Spanja, Kroacia, Maqedonia e Veriut, në Republikën e Kosovës vinë të ngrira në më shumë se -18 C dhe me certifikata shëndetësore si garanci nga autoritetet e këtyre vendeve. Lloji i peshkut Merluc (hake), i cili gjendet në treg është i destinuar për t’u gatuar dhe nuk shitet si produkt i freskët ose i shkrirë për konsum pa trajtim të sigurt kundër parazitëve”, thuhet në njoftim.
Një komision i pavarur i AUV-së ka pasur parasysh praktikat të cilat përdoren në shtete të ndryshme evropiane, ku produktet e peshkut me praninë e parazitëve ose të pa trajtuara mjaftueshëm asgjësohen, për të mbrojtur shëndetin publik.
Duke u nisur nga kjo praktikë Komisioni ka marrë vendim për asgjësimin e peshkut, duke siguruar kështu sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Për këtë çështje kemi edhe vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. lëndës 2025:134825 të datës 12.09.2025 nr. dokumenti 07679680. Në respektim të këtij vendimi, AUV bashkë me kompaninë është duke bërë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, për të garantuar sigurinë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe integritetin e tregut ushqimor në Kosovë.
Për më shumë, lloji i peshkut Merluc (hake) i cili gjendet në tregun e Kosovës për të cilin bëhet fjalë, përveç se është i ngrirë, i përket llojit i cili është i dedikuar për tu përgatitur me trajtim të nxehtësisë (d.m.th të gatuhet), dhe jo të përdoret si i freskët apo i shkrirë, në rast nuk paraqet rrezik për shëndetin publik”, thuhet tutje. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM