Aktuale
Kërkohet përfshirje më e madhe e grave në biznes
Gratë duhet të jenë më të përfshira në biznes, pasi asnjë ekonomi nuk mund ta arrijë potencialin e saj të plotë pa pjesëmarrjen e grave në sfera të ndryshme të shoqërisë dhe ekonomisë.
Kështu u tha në konferencën “She Rises 2026”, me moton “Gratë në Biznes në Kosovë – një dekadë progres dhe vizion për të ardhmen”, e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit, Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës dhe UN Women.
Në këtë konferencë u diskutua për rolin e grave në zhvillimin ekonomik, sfidat me të cilat ato përballen dhe mundësitë për rritjen e pjesëmarrjes së tyre në biznes dhe tregun e punës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Qeveria e Kosovës është e bindur se barazia është rruga e vetme drejt progresit, prandaj mbështetja ndaj grave në biznes nuk duhet të mbetet vetëm deklarative.
“Në mbështetje të punësimit dhe zhvillimit ekonomik do të nis programi ‘Super Puna’ për gratë, i cili do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës, duke krijuar përfitime si për punëmarrëset ashtu edhe për bizneset”, tha Kurti.
Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Cyprien François, e cilësoi konferencën si një mesazh të fortë, duke theksuar se Kosova ka gra që po zhvillojnë biznese të suksesshme.
“Barazia gjinore dhe rritja e vetëdijes mbeten fusha ku ka ende shumë punë për t’u bërë. Vetëm rreth 20 për qind e grave janë aktive në tregun e punës dhe potenciali i tyre nuk duhet të mbetet i pashfrytëzuar. Asnjë ekonomi nuk arrin zhvillimin e plotë pa përfshirjen e grave. Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian nuk është vetëm përmbushje e legjislacionit, por edhe ndërtim i një ekonomie konkurruese dhe të integruar me tregjet evropiane”, tha ai.
E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, tha se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te numri i grave të përfshira në biznes, por te veprimet konkrete që rrisin pjesëmarrjen e tyre.
“SHBA-ja beson se rritja ekonomike ndërtohet përmes mundësive dhe bashkëpunimit praktik, kur energjia e sipërmarrësve bashkohet me politikat që krijojnë kushte për prosperitet”, tha ajo.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimosa Kusari-Lila, tha se historia e grave është histori e ngritjes dhe e qëndresës, duke theksuar se gratë kanë gjetur gjithmonë forcën për t’u ringritur edhe në kohët më të vështira.
Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Lendita Kastrati, tha se gratë po dëshmojnë gjithnjë e më shumë sukses në sipërmarrje, duke hapur biznese të reja dhe vende të reja pune, megjithëse sfidat mbeten të pranishme.
Në konferencë folën edhe Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave dhe Vlora Nuzi-Nushi nga UN Women në Kosovë, të cilat vlerësuan rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave dhe zgjerimit të mundësive për pjesëmarrje të barabartë në biznes dhe tregun e punës.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM