Aktuale
Kosova importoi gati 3 miliardë euro mallra për pesë muaj, eksportet u rritën në 419 milionë euro
Kosova ka importuar mallra në vlerë prej afro 3 miliardë eurosh gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej rreth 162 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Gjermania, Kina dhe Turqia mbeten partnerët kryesorë tregtarë të vendit, me importe që arrijnë në 1.13 miliard euro, ose rreth 38 për qind të totalit të importeve në periudhën janar-maj.
Vetëm gjatë muajit maj, vlera e importeve arriti në 635 milionë euro, mbi 5 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2025. Pjesën më të madhe të importeve e përbëjnë makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike, produktet minerale, ushqimet e përpunuara, pijet dhe duhani, mjetet e transportit, si dhe metalet bazë.
Ndërkohë, eksportet kanë shënuar rritje prej rreth 16 për qind, duke arritur në 419 milionë euro gjatë pesëmujorit të parë të vitit. Në muajin maj u eksportuan mallra në vlerë prej 94 milionë eurosh, megjithëse me një rënie të lehtë krahasuar me prillin.
Pavarësisht rritjes së eksporteve, Kosova vazhdon të përballet me një deficit të lartë tregtar, duke reflektuar varësinë e madhe të ekonomisë nga importet. Gjatë vitit 2025, vendi importoi mallra në vlerë prej rreth 7 miliardë eurosh, ndërsa eksportet mbetën nën 1 miliard euro.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM