Aktuale
ASK: Çmimet e konsumit në muajin maj u rriten për 6.8 përqind
Rritja e vazhdueshme e çmimeve, veçanërisht e produkteve ushqimore, po detyron gjithnjë e më shumë qytetarë të Kosovës të ndryshojnë shprehitë e tyre të konsumit dhe të përshtatin buxhetet familjare me kushtet e reja ekonomike.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit shënoi rritje vjetore prej 6.8 për qind në maj 2026. Ndikimin më të madh në inflacion e kanë pasur shtrenjtimi i transportit, energjisë, strehimit dhe produkteve ushqimore.
Qytetarët thonë se janë detyruar të reduktojnë konsumin e mishit dhe produkteve më të kushtueshme, duke i zëvendësuar ato me perime të stinës, vezë dhe produkte më të lira. Sipas tyre, çmimet e mishit dhe produkteve të ngjashme janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, duke ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës.
Megjithatë, ardhja e sezonit veror dhe shtimi i prodhimeve vendore në tregjet e gjelbra po shihet si një lehtësim për familjet. Perimet e freskëta si domatet, specat, trangujt, lakrat, spinaqi dhe karrotat kanë rritur ofertën në treg, duke ndikuar në uljen ose stabilizimin e çmimeve të disa produkteve.
Qytetarët shpresojnë se prodhimet sezonale vendore do të ndihmojnë në zbutjen e barrës financiare të krijuar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM