Aktuale
D+ kërkon anulimin e tenderit 480 mijë euro të MMPH-së për angazhimin e 20 ekspertëve
Organizata Demokraci Plus (D+) ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) anulimin e një procedure të prokurimit në vlerë prej 480 mijë eurosh, përmes së cilës parashihet angazhimi i 20 ekspertëve me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si “kontrata mbi vepër”.
Sipas D+, procedura e prokurimit me numër 210-26-4238-2-1-1 parasheh që ekspertët të ndahen në nëntë lote dhe të angazhohen deri në 24 muaj, me orar të plotë pune prej 40 orësh në javë.
Në reagimin e saj, organizata vlerëson se detyrat e parapara për këto pozita nuk përbëjnë shërbime të veçanta profesionale, por janë pjesë e punëve të zakonshme institucionale.
“Detyrat e përcaktuara për këto pozita përfshijnë administrim dokumentacioni, koordinim institucional, organizim takimesh, hartim raportesh, komunikim publik dhe mbështetje teknike administrative, si dhe detyra të tjera të ngjashme të punës së përditshme institucionale. Këto funksione nuk përbëjnë shërbime të veçanta profesionale që kërkojnë kontraktim të jashtëm përmes MShV-ve”, thuhet në reagim.
D+ thekson se Rregullorja Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik përcakton qartë kushtet kur mund të angazhohen kontraktorë individualë.
“Rregullorja Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik (neni 57.2) përcakton se kontraktorët individualë mund të angazhohen vetëm për ekspertizë specifike që nuk mund të sigurohet përmes procedurave të rregullta të rekrutimit në administratën publike. Në këtë rast, natyra e detyrave të përcaktuara nuk ka të bëjë me ekspertizë specifike, por mbulim të funksioneve të përhershme teknike-administrative”, vlerëson organizata.
Duke iu referuar këtyre gjetjeve, Demokraci Plus i ka bërë thirrje MMPH-së që ta tërheqë procedurën aktuale të prokurimit, duke argumentuar se angazhimet e tilla nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar punësimin e rregullt në administratën publike.
“Kontraktimi përmes legjislacionit të prokurimit publik, në formën e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), nuk duhet të shërbejë si zëvendësim i rekrutimit të rregullt të personelit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë”, thuhet në reagimin e D+.
Organizata kërkon që institucionet publike të respektojnë kornizën ligjore në fuqi dhe të shmangin përdorimin e mekanizmave të prokurimit për pozita që, sipas saj, i takojnë procesit të rregullt të rekrutimit në shërbimin civil.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM