Aktuale
ZKA publikon 14 raporte auditimi, shtatë institucione marrin opinion të kualifikuar
Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi edhe 14 raporte të auditimit, prej tyre 12 institucione të nivelit qendror si dhe dy të nivelit lokal/komuna. Për shtatë prej këtyre institucioneve ZKA ka dhënë opinion të auditimit të kualifikuar, ndërsa për shtatë të tjera opinion të pamodifikuar.
Opinion të kualifikuar kanë Zyra e Rregullatorit për Energji, Zyra e Kryeministrit, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Komuna e Malishevës si dhe Komuna e Suharekës.
Ndërsa opinion të pamodifikuar kanë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Presidentit, Kuvendi i Republikës së Kosovës si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
ZKA ka vlerësuar gjithashtu edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi dhe sipas rezultatit të auditimit, pesë prej këtyre institucioneve konkluzionin e pajtueshmërisë e kanë të kualifikuar si: Zyra e Rregullatorit për Energji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Komuna e Malishevës si dhe Komuna e Suharekës. Ndërsa nëntë institucione kanë konkluzion të pajtueshmërisë të pamodifikuar si: Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zyra e Kryeministrit, Zyra e Presidentit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Ministria e Ekonomisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.
Për këto 14 raporte të auditimit ZKA ka dhënë 75 rekomandime zbatimi i së cilave i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM