Aktuale
Banka Shqiptare e Zhvillimit pritet të krijohet me kapital 100 milionë euro
Në Shqipëri pritet të krijohet Banka Shqiptare e Zhvillimit, një institucion i ri financiar që do të ketë kapital fillestar prej rreth 100 milionë eurosh dhe kapacitet financimi deri në 1 miliard euro.
Shifrat u bënë të ditura nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se banka është konceptuar si një instrument shtesë në tregun financiar për të mbështetur sektorët e nënfinancuar dhe projektet strategjike të vendit.
“Ky institucion është konceptuar për t’u ndërtuar me një kapital prej rreth 10 miliardë lekësh ose 100 milionë euro. Do të ketë potencial për të financuar nga minimalisht 500 milionë deri në maksimalisht 1 miliard euro”, tha Malaj.
Sipas tij, banka do të fokusohet në financimin e ndërmarrjeve që kanë vështirësi në qasje në kredi, si dhe në projekte me rëndësi strategjike për Shqipërinë.
Ai renditi si sektorë prioritarë bujqësinë, agropërpunimin, infrastrukturën strategjike, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), banesat sociale, inovacionin dhe digjitalizimin, si dhe projektet në fushën e energjisë dhe efiçencës energjetike.
“Ky është një institucion që do të jetë një vlerë e shtuar në tregun financiar shqiptar dhe do të financojë pikërisht sektorët që janë të nënfinancuar ose pa akses në financë”, theksoi Malaj.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM