Aktuale
IKSHPK: Rrezik i ulët për Ebola në Kosovë, qytetarët udhëzohen për masa parandaluese
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar qytetarët lidhur me situatën e sëmundjes Ebola, duke theksuar se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar dhe aktualisht nuk ka dëshmi për transmetim lokal të virusit.
Sipas IKSHPK-së, rreziku për popullatën në Kosovë mbetet shumë i ulët, megjithatë instituti ka publikuar rekomandime për qytetarët që udhëtojnë ose kthehen nga Republika Demokratike e Kongos dhe Uganda, dy vende ku është raportuar prani e sëmundjes.
“Rreziku për popullatën e Kosovës mbetet shumë i ulët”, thuhet në njoftim.
Si masa parandaluese, qytetarëve u rekomandohet shmangia e kontaktit me gjakun dhe lëngjet trupore të personave të sëmurë, si dhe me materiale të kontaminuara. Gjithashtu këshillohet higjiena e rregullt e duarve dhe shmangia e kontaktit me kafshë të egra apo konsumimit të mishit të tyre.
IKSHPK rekomandon gjithashtu shmangien e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe hyrjen në shpella apo miniera ku mund të jetojnë lakuriqët e natës.
Për udhëtarët që kthehen nga zonat e prekura, instituti kërkon monitorim të gjendjes shëndetësore për 21 ditë, që përkon me periudhën e inkubacionit të virusit.
Simptomat kryesore të Ebolës përfshijnë temperaturë, lodhje të rëndë, dhimbje koke, dhimbje muskulore, të vjella, diarre dhe në raste të rënda edhe gjakderdhje. Në rast shfaqjeje të simptomave, qytetarët udhëzohen të shmangin kontaktin me të tjerët dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore duke informuar për historinë e udhëtimit.
IKSHPK thekson se Ebola transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun ose lëngjet trupore të personave apo kafshëve të infektuara dhe nuk përhapet përmes ajrit apo kontaktit të zakonshëm.
Aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik për disa forma të virusit, ndërsa respektimi i masave higjienike mbetet mënyra kryesore e parandalimit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM