Aktuale
Rama: SPAK-u verifikoi pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën në Zvërnec
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se pas verifikimeve të kryera nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), investitorët e huaj kanë rezultuar pronarë të ligjshëm të tokës ku planifikohet të ndërtohet një projekt turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.
Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës është kompania Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se kompania zotërohet nga vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.
Pas mbledhjes së Qeverisë, Rama tha se procesi i verifikimit ka sqaruar origjinën e fondeve të përdorura për blerjen e tokës dhe se investitorët tashmë janë pronarë të saj.
Ai vlerësoi gjithashtu vendimin e SPAK-ut për të mbajtur të ngrira fondet deri në përfundimin e hetimeve, duke theksuar se procesi do të garantojë një zgjidhje të qartë dhe ligjore për çdo pretendim mbi pronësinë.
Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se çështja mbetet në hetim dhe se detaje të tjera nuk mund të publikohen për momentin.
Zvërneci ka qenë ditët e fundit në qendër të debatit publik për shkak të planeve për ndërtimin e një resorti turistik dhe protestave të aktivistëve e banorëve, të cilët kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe për çështjet e pronësisë së tokës.
Qeveria shqiptare ka deklaruar se projekti në Zvërnec parashikohet të arrijë vlerën e 4 miliardë eurove dhe synon të zhvillojë turizmin elitar në vend.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM