Aktuale
Guvernatori Ismaili pret në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të FMN-së, z. Yigit Yaşar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim z. Yigit Yaşar, Drejtor Ekzekutiv dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në takim mori pjesë edhe z. Hajdar Korbi, Këshilltar i Republikës së Kosovës në Drejtorinë Ekzekutive të Konstituencës së FMN-së, ku bën pjesë Kosova.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili i informoi përfaqësuesit e FMN-së mbi zhvillimet kryesore në sektorin financiar të vendit dhe prioritetet strategjike të BQK-së. Ai theksoi fokusin në ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e kornizës rregullative, si dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane.
Ismaili vlerësoi se sektori financiar në Kosovë mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe me performancë të qëndrueshme. Në këtë kuadër, u diskutua edhe rëndësia e zbatimit të Planit Strategjik 2024–2028 të BQK-së, i cili synon reforma institucionale, modernizimin e sistemeve të pagesave, digjitalizimin, mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe zhvillimin e tregjeve financiare.
Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, përfshirë asistencën teknike dhe dialogun e vazhdueshëm në fusha si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, politikat makroprudenciale, qeverisja institucionale dhe zhvillimi i kapaciteteve.
Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj Kosovës dhe BQK-së, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave. Ai ritheksoi përkushtimin e institucionit për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me FMN-në në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Vizita e z. Yaşar në Kosovë u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së tij në një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, e cila mbledh përfaqësues të bankave qendrore, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet aktuale dhe prioritetet strategjike të sektorit financiar./ekolajmi
BASHKOHUNI NË DISKUTIM