Tregu i patundshmërive në Kosovë po përballet me një rënie të ndjeshme të shitblerjeve, veçanërisht në sektorin e banesave, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë po orientohen drejt investimeve në bregdetin shqiptar.
Pronarët e agjencive të paluajtshmërive në Prishtinë thonë se shitjet kanë rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke alarmuar sektorin. Sherif Spahija, pronar i Agjencisë së Patundshmërive “Era”, deklaron se mungesa e transaksioneve po e vë në pikëpyetje edhe vazhdimësinë e aktivitetit të tij.
“Nuk ka fare shitblerje tash e sa muaj, as të tokave, as të banesave. Nëse vazhdon kjo situatë, do të detyrohem ta mbyll agjencinë”, ka thënë ai.
Sipas Spahisë, arsyet kryesore të rënies janë rritja e madhe e çmimeve të banesave, shtrenjtimi i materialeve ndërtimore dhe ngopja e tregut me oferta të reja. Ai thekson se një faktor me ndikim të madh është edhe orientimi i investitorëve kosovarë drejt tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Sipas tij, shumë qytetarë me mundësi financiare po heqin dorë nga blerja e banesave të dyta apo të treta në Kosovë dhe po investojnë në apartamente pranë detit në Shqipëri, duke e parë këtë si një mundësi më të favorshme afatgjatë.
Interesimi për bregdetin shqiptar është shtuar edhe për shkak të pritjeve se çmimet atje do të vazhdojnë të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme. Spahija vlerëson se brenda dy ose tre vjetëve çmimi i një metri katror në disa zona bregdetare mund të arrijë deri në 6 mijë euro.
Aktualisht, në disa pjesë të bregdetit verior të Shqipërisë ende mund të gjenden banesa dydhomëshe me çmime rreth 100 mijë euro, çka po konsiderohet një mundësi tërheqëse për investitorët nga Kosova.
Ndërkohë, rritja e kostos së ndërtimit vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e banesave në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, Indeksi i Kostos së Ndërtimit është rritur për 2.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me tremujorin paraprak, ndërsa në baza vjetore rritja ka arritur në 4.3 për qind.
Rritjen më të madhe e kanë shënuar kostot e transportit, pagat, materialet ndërtimore dhe energjia, faktorë që kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e banesave.
Si rezultat, çmimi i një metri katror në lagjet e reja të Prishtinës, si Rruga B dhe Rruga C, ka arritur deri në 2 mijë euro, ndërsa në lagjet më afër qendrës, si ajo e Muhaxherëve, ka tejkaluar këtë nivel. Në kryeqytet tashmë është e vështirë të gjendet një banesë me çmim nën 1,200 deri në 1,500 euro për metër katror.
Njohësit e tregut vlerësojnë se kombinimi i çmimeve të larta dhe orientimi i investimeve drejt Shqipërisë po ndikon drejtpërdrejt në tkurrjen e kërkesës për banesa në Kosovë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM