Aktuale
BQK ndan 12 milionë euro për buxhetin e shtetit, miraton pasqyrat financiare vjetore
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar pasqyrat financiare vjetore për vitin 2025, të audituara nga një auditor i jashtëm i pavarur dhe të vlerësuara me opinion të pastër, pa kualifikime.
Sipas raportit, pasqyrat financiare pasqyrojnë në mënyrë të saktë pozitën dhe performancën financiare të institucionit, në përputhje me standardet përkatëse të raportimit financiar.
Për vitin 2025, BQK ka realizuar 24 milionë euro të ardhura neto. Në bazë të kornizës ligjore, 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër alokohet në rezervat e përgjithshme të bankës.
Në këtë kuadër, 12 milionë euro janë ndarë për buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet në rezervat e BQK-së, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale.
BQK thekson se ky është viti i tretë radhazi që realizohet ndarja e të ardhurave për buxhetin e shtetit, duke e çuar në rreth 38 milionë euro totalin e transferimeve gjatë kësaj periudhe.
Institucioni vlerëson se miratimi i pasqyrave financiare me opinion të pastër dhe ndarja e të hyrave dëshmojnë për rritje të transparencës, qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies institucionale.
BQK do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur dhe profesionale, duke ruajtur stabilitetin financiar dhe integritetin e sistemit financiar në vend.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM