Aktuale
“Vuçiq paralajmëron pas mbylljes së institucioneve në veri: Do të presim ‘momentin e favorshëm’ për veprim”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka paralajmëruar se Beogradi do të presë një “moment të favorshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare” për veprim lidhur me Kosovën, pas aksioneve të institucioneve kosovare në veri të vendit.
Deklaratat e Vuçiqit erdhën pasi autoritetet e Kosovës morën nën kontroll disa stacione hekurudhore në Zveçan, Leposaviq dhe Leshak, të cilat Prishtina i konsideron pjesë të strukturave paralele të Serbisë.
Duke folur nga Kina, Vuçiq tha se situata për serbët në Kosovë do të mbetet e vështirë dhe se Serbia duhet të “presë një moment të favorshëm” për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Por është diçka që duhet ta mbajmë si barrë mbi shpinë dhe të presim një moment të favorshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare kur Marrëveshja e Brukselit të mund të përmbushet dhe Karta e Kombeve të Bashkuara të mund të respektohet”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka akuzuar Perëndimin për nxitje tensionesh dhe për standarde të dyfishta ndaj Serbisë dhe Kosovës.
Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se objektet e marra nën kontroll ishin ndër institucionet e fundit që ende funksiononin si struktura paralele të Serbisë në veri.
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka theksuar se veprimet janë pjesë e shtrirjes së ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.
Po ashtu, zyrtarë të qeverisë së Serbisë kanë reaguar duke i bërë thirrje komunitetit serb në Kosovë që të mbështesë Listën Serbe në proceset zgjedhore të ardhshme.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM