Aktuale
Çmimet e prodhimit rriten me 7.9% krahasuar me vitin e kaluar
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat më të fundit për Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP), ku evidentohet një rritje e ndjeshme e çmimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë është rritur për 2.3 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025.
“Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë pati një ngritje prej 2,3% ndërmjet TM1 2026 dhe TM4 2025”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Edhe më e lartë rezulton rritja në baza vjetore. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, çmimet e prodhimit janë rritur mesatarisht për 7.9 për qind.
“Çmimet e Prodhimit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 7,9% në mes të TM1 2026 dhe TM1 2025”, thekson ASK.
Sipas raportit, rritjet më të mëdha janë regjistruar në sektorin e furnizimit me ujë, prodhimin e pijeve dhe industrinë e letrës.
“Ngritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (34,4%); prodhimi i pijeve (15,9%); prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (9,6%)”, bëhet e ditur në komunikatë.
Nga ana tjetër, ASK njofton se rritja është zbutur pjesërisht nga rënia e çmimeve në disa sektorë të tjerë, përfshirë energjinë elektrike dhe prodhimin e metaleve.
“Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (-2,7%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (-1,8%); prodhimi i metaleve (-2,6%)”, thuhet në raport.
ASK thekson se këto të dhëna pasqyrojnë ndryshimet në çmimet e prodhimit gjatë periudhës raportuese dhe ndikimin e tyre në sektorët ekonomikë në vend.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM