Aktuale
KEDS garanton qytetarët: Asnjë njehsor nuk është manipuluar, u bën thirrje partive politike të përmbahen nga deklaratat gjatë fushatës
KEDS shpreh shqetësimin lidhur me deklarimet publike të bëra së fundmi nga përfaqësues politikë, përmes të cilave janë ngritur pretendime të rënda dhe të pabazuara ndaj kompanisë dhe sistemit të matjes së energjisë elektrike në vend.
Në reagim po ashtu thuhet se çështja e njehsorëve dhe nevoja për investime shtesë në modernizimin e rrjetit energjetik nuk është temë e re dhe as e panjohur për institucionet kompetente. Për vite me radhë, KEDS ka adresuar vazhdimisht kërkesa dhe rekomandime pranë institucioneve përgjegjëse, përfshirë Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe institucionet qeveritare, lidhur me nevojën për rritje të investimeve në infrastrukturën energjetike dhe sistemet matëse, duke pasur parasysh se çdo investim i tillë reflektohet drejtpërdrejt edhe në strukturën tarifore të aprovuar nga organet rregullatore.
KEDS garanton secilin qytetar se asnjë njehsor nuk është manipuluar, asnjë njehsor nuk është ndryshuar apo tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme dhe asnjë institucion kompetent nuk ka konstatuar apo provuar se ndonjë njehsor ka dëmtuar konsumatorët apo qytetarët.
KEDS operon në një sektor plotësisht të rregulluar dhe monitorohet në vazhdimësi nga institucionet përgjegjëse, në përputhje me standardet ligjore dhe teknike në fuqi.
“Ne i besojmë plotësisht institucioneve të drejtësisë dhe mbështesim çdo proces hetimor profesional, objektiv, të pavarur dhe të pandikuar nga interesa politike apo konflikte interesi, me qëllim të sqarimit të plotë të çdo pretendimi të ngritur në hapësirën publike. Njëkohësisht, ftojmë të gjithë akterët politikë dhe publikë që të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi në deklarimet e tyre, veçanërisht gjatë periudhave elektorale, duke shmangur akuzat shpifëse, pretendimet e pavërtetuara dhe narrativat që mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe sistemet publike”, thuhet në reagimin e KEDS-it.
Në reagim po ashtu thuhet se KEDS nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e debateve politike apo fushatave elektorale.
“ KEDS është kompani që ushtron veprimtari të licencuar, të rregulluar dhe të monitoruar në baza të përditshme, me përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj furnizimit stabil dhe të sigurt me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në interes të transparencës dhe besimit publik, KEDS mbetet i hapur për bashkëpunim me çdo institucion kompetent dhe me çdo proces profesional që bazohet në fakte, standarde ligjore dhe verifikim objektiv”, thuhet në reagim.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM