Aktuale
Kosova Forcon Mbrojtjen Digjitale me Laboratorin e Ri për Siguri Kibernetike
Sot inauguruam Laboratorin për Siguri Kibernetike – një investim strategjik që shënon një fazë të re në forcimin e mbrojtjes digjitale të Republikës së Kosovës.
Së bashku me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz, vizituam nga afër laboratorin, tashmë funksional dhe në përdorim nga ekipet tona profesionale.
Në një kohë kur kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më komplekse, ndërtimi i kapaciteteve shtetërore për parandalim, detektim dhe reagim nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.
Ky laborator përbën një nga shtyllat kyçe në funksionalizimin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe në konsolidimin e arkitekturës sonë kombëtare të sigurisë kibernetike. Ai do të shërbejë si platformë moderne për analizë, hulumtim dhe reagim ndaj kërcënimeve kibernetike.
Laboratori do t’u mundësojë ekipeve tona analizë statike dhe dinamike të softuerëve keqdashës, identifikim më të avancuar të sulmeve dhe integrim më efikas të inteligjencës për kërcënimet kibernetike, në koordinim me partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kosova tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë në forcimin e reziliencës kibernetike: është miratuar legjislacioni për sigurinë kibernetike, po punohet në përafrimin me direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian, është përfunduar faza e parë e SOC-ut qeveritar, ndërsa në kuadër të FSK-së është operacionalizuar Cyber Range.
Por siguria kibernetike nuk ndërtohet vetëm me teknologji. Ajo ndërtohet me profesionistë të trajnuar, institucione të koordinuara dhe partneritete të besueshme. Për këtë arsye, krahas investimeve në infrastrukturë, po investojmë edhe në ngritjen profesionale të ekipeve tona që do ta përdorin dhe zhvillojnë më tej këtë kapacitet të ri shtetëror.
Vetëm pak ditë më parë inauguruam edhe programin dhe platformën e trajnimeve për siguri kibernetike për shërbyesit civilë.
Ndërkaq sot, pamë nga afër edhe punimet që po zhvillohen në hapësirat e dedikuara për Agjencinë e Sigurisë Kibernetike.
Falënderoj Dukatin e Madh të Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e sigurisë kibernetike në Kosovë, përfshirë implementimin e këtij laboratori, si dhe ekipet tona qeveritare që kontribuuan në realizimin e këtij projekti me rëndësi strategjike për vendin.




BASHKOHUNI NË DISKUTIM