Aktuale
Inflacioni në Kosovë arriti në 7.5 për qind gjatë muajit prill
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se shkalla vjetore e inflacionit në Kosovë gjatë muajit prill 2026 ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.1 për qind.
Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), rritja më e lartë e çmimeve në baza vjetore është regjistruar në sektorin e transportit me 16.1 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse me 15.2 për qind.
Po ashtu, rritje e çmimeve është vërejtur edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.8 për qind, ushqimi dhe pijet joalkoolike me 5.6 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5.1 për qind.
ASK njofton se ngritje të çmimeve pati edhe në sektorët e shëndetësisë me 4.7 për qind, kujdesit personal dhe shërbimeve të ndryshme me 3.6 për qind, mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake me 3.1 për qind, rekreacionit, sportit dhe kulturës me 3.0 për qind, si dhe veshjeve dhe këpucëve me 2.3 për qind.
Në anën tjetër, ulje e çmimeve është regjistruar në grupin e informacionit dhe komunikimit me 0.2 për qind dhe në sektorin e arsimit me 0.6 për qind.
Sa i përket ndryshimeve mujore, krahasuar me marsin 2026, inflacioni prej 1.1 për qind është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në transport me 4.9 për qind, pijet alkoolike dhe duhani me 1.2 për qind, rekreacioni dhe kultura me 0.4 për qind, si dhe mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0.3 për qind.
Ndryshe, sipas ASK-së, inflacioni vjetor në mars 2026 ishte 6.7 për qind.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM