Aktuale
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mbajti Kuvendin e Punës, diskutohen sfidat e bizneseve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka mbajtur Kuvendin e saj të Punës, ku u diskutuan zhvillimet gjatë vitit të kaluar, aktivitetet e realizuara dhe sfidat me të cilat po përballen bizneset dhe ekonomia në vend.
Në këtë takim vjetor, kryetari i Kuvendit, Hamdi Malushaj, dhe kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, theksuan se Dhoma ka qenë aktive në trajtimin e çështjeve ligjore dhe administrative që kanë ndikuar në afarizëm.

Sipas tyre, angazhimi i DHTIK-së në temat si Ligji për Pronën Publike, liberalizimi i tregut të energjisë, rritja e çmimit të energjisë, Ligji i Punës, procedurat kufitare, lejet e punës dhe pengesat administrative, ka dëshmuar rolin aktiv të Dhomës në mbrojtjen e interesave të bizneseve.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv Kushtrim Ahmeti tha se, pavarësisht sfidave në ambientin e të bërit biznes, DHTIK ka vazhduar mbështetjen për bizneset anëtare përmes vizitave të rregullta dhe aktiviteteve si “Kafja e Mëngjesit” me kryetarë komunash.
Ai shtoi se në planin ndërkombëtar, Dhoma ka forcuar bashkëpunimin me organizata partnere nga rajoni dhe më gjerë, si dhe ka ruajtur komunikim të vazhdueshëm me ambasadat në Kosovë.
Sipas Ahmetit, viti 2025 ka dëshmuar se DHTIK mbetet një institucion i besueshëm dhe i rëndësishëm për komunitetin e biznesit në Kosovë.
Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet aktuale, angazhimet dhe planet e DHTIK-së për vitin 2026.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ritheksoi se do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i bizneseve vendore dhe partner i zhvillimit ekonomik në vend. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM