Aktuale
Kosova feston Ditën e Evropës, Palatova: BE-ja mbetet partner i afërt i Kosovës
Në kuadër të shënimit të 9 Majit – Ditës së Evropës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë organizoi aktivitete të ndryshme festive në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, organizatave dhe qytetarëve.
Aktivitetet nisën me hapjen e ekspozitës “Me art festojmë Evropën”, ndërsa atmosfera u pasurua edhe nga performanca e Orkestrës së Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus”. Për më të vegjlit u organizua Këndi i BE-së për fëmijë, si dhe panairi “Team Europe”.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, deklaroi se Bashkimi Evropian ka qenë për më shumë se 25 vjet partneri kryesor dhe mbështetësi më i madh financiar i Kosovës.
Ajo theksoi se që nga viti 1999, BE-ja ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë, investime që sipas saj kanë ndikuar në zhvillimin e arsimit dhe sektorëve të tjerë të rëndësishëm.
“Mbështetja e Bashkimit Evropian ka sjellë përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve të Kosovës. Sot jemi këtu për të festuar së bashku dhe për të treguar se BE-ja vazhdon të jetë partner dhe mik i afërt i Kosovës”, theksoi Palatova.
Sipas saj, Dita e Evropës simbolizon bashkëpunimin dhe partneritetin ndërmjet institucioneve, organizatave dhe qytetarëve. Ajo përmendi praninë e organizatave të ndryshme, përfshirë EULEX-in, përfaqësues të bizneseve, shoqërisë civile dhe asociacionit ukrainas-kosovar, si dëshmi e bashkëpunimit dhe miqësisë që tejkalon kufijtë.
Në fund, Palatova falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi qytetarët për Ditën e Evropës.
Dita e Evropës shënohet çdo 9 maj, në përkujtim të Deklaratës së vitit 1950 që hodhi themelet e krijimit të Bashkimit Evropian. Kjo ditë tashmë festohet tradicionalisht edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme të organizuara nga Zyra e BE-së në Kosovë./Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM