Aktuale
Mimoza Kusari-Lila prezanton prioritetet industriale të Kosovës në St. Gallen Symposium 2026
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në edicionin e 55-të të St. Gallen Symposium 2026, një nga forumet më të rëndësishme globale që mbledh liderë politikë, ekonomikë dhe akademikë për të diskutuar sfidat dhe zhvillimet që po ndikojnë ekonomitë dhe shoqëritë në botë.
Tema e sivjetme e forumit, “Disrupted Age”, u fokusua në transformimet globale në fushën e gjeopolitikës, teknologjisë dhe ndryshimeve demografike. Në këtë kuadër, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në diskutime të tilla ndërkombëtare, me qëllim prezantimin e perspektivës së vendit dhe forcimin e rolit të Kosovës në proceset ekonomike dhe globale.
Gjatë vizitës në Zvicër, ministrja Kusari-Lila zhvilloi takim bilateral me ministren e Financave të Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Në takim u theksua se ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s pritet të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Po ashtu, palët diskutuan për zhvillimin e infrastrukturës industriale në Kosovë, promovimin e investimeve dhe rëndësinë e partneritetit me shtetet mike për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi edhe rolin e diasporës kosovare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se zhvillimi industrial dhe forcimi i prodhimit vendor mbeten faktorë kyç për ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese.
Në kuadër të forumit, ministrja mori pjesë edhe në panelin “Fuqia e politikës përballë politikës së fuqisë – Ruajtja e interesave strategjike në një botë të re”, ku pjesëmarrës ishin ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB, Kelly Craft, ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Kęstutis Budrys, dhe ministrja e Informacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë e Namibisë, Emma Theofelus./ekolajmi



BASHKOHUNI NË DISKUTIM