Aktuale
“Kuvendi s’është arenë sulmesh”, Haxhiu kundër gjuhës seksiste dhe përçarëse
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur sërish për fjalimin skandaloz të deputetit Fatos Geci për ish-presidentin Hashim Thaçi, si dhe për deklaratën seksiste kundrejt deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku.
Gjatë fjalës së saj në Parlament, Haxhiu theksoi se ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë, teksa uroi që vendimi i Gjykatës ta korrigjojë padrejtësinë e madhe të Prokurorisë së Specializuar.
“Në seancën e kaluar kam ndërhyrë në fjalën e deputetit Geci sepse ajo deklaratë ishte e rëndë, ishte përçarëse dhe e papranueshme. Ritheksoj se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë, dhe uroj që vendimi i gjykatës do ta korrigjojë padrejtësinë e madhe të prokurorisë së specializuar. Si kryetare e kuvendit e dënoj pa asnjë mëdyshje këtë gjuhë dhe e bëj të qartë se nuk do të lejojë që foltorja të përdoret për sulme të tilla, pot le të debatojmë me argumente, ide por assesi me qëndrime që e cenojnë luftën çlirimtare dhe ata që i dolën zot këtij vendi në kohën më të vështirë”, deklaroi Haxhiu.
Ajo shtoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe për liri, e pastër dhe e shenjtë dhe çdo tentim për ta zbehur atë, është i papranueshëm.
Sa i përket deklaratës seksiste ndaj Çitakut, Haxhiu tha se Kuvendi nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë arenë e sulmeve gjinore.
“Gjuha seksiste dhe poshtëruese ndaj grave në politike dhe ndaj çdo vajze e gruaje, është e papranueshme dhe e turpshme. Asnjëherë nuk do të hesht përball kësaj gjuhe dhe nuk do të lejojë që ajo të normalizohet në Kuvend”, shtoi kryeparlamentarja.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM