Aktuale
Kapen me bidona nafte në veturë në Prishtinë – pak orë më pas zbulohet vjedhja në Prugovc
Një rast i vjedhjes së naftës është zbardhur në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku tre persona janë arrestuar pasi u kapën me sasi të dyshuar të karburantit në veturë.
Ngjarja ka ndodhur më 20 prill 2026 rreth orës 05:00 në rrugën “Mon Balaj”, ku një njësi policore ka ndaluar një veturë Skoda me ngjyrë të bardhë.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, në veturë ndodheshin Valon Islami rreth 36 vjeç si shofer, si dhe pasagjerët Drenis Konjuhi rreth 21 vjeç dhe Ramadan Konjuhi rreth 24 vjeç. Gjatë kontrollit në bagazh, policia ka gjetur pesë bidona nga 10 litra dhe një kovë me rreth 20 litra lëndë djegëse, për të cilat dyshohej se ishin të vjedhura.
Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor “Veriu”, ku janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 07:00, është raportuar një rast i vjedhjes së naftës në fshatin Prugovc. Njësitet policore dhe hetimet kanë dalë në vendngjarje, ku janë konstatuar gjurmë të naftës dhe dëshmi tjera, që dyshohet se ndërlidhen me rastin dhe me personat e ndaluar më herët.
Në cilësinë e dëshmitares është intervistuar F.D rreth 57 vjeç.
Pas veprimeve hetimore dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është cilësuar si “Vjedhje”, ndërsa sasia e naftës është sekuestruar.
Me vendim të prokurorit, të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Valon Islami, Drenis dhe Ramadan Konjuhi janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes .
Hetimet janë në zhvillim.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM